Jeta shpesh herë na përplas në dallgë të shumta, si pasojë e të cilave mund të ndjemë zemërim, hidhërim e trishtim, mirëpo në jetë kemi më shumë gjëra pozitive, të cilat shpesh herë i marrim si të mirëqena, duke mos i vlerësuar sa duhet. Prandaj, çdo vit, më 20 mars, shënohet ‘Dita Ndërkombëtare e Lumturisë’, për të na kujtuar të mirat e shumta që i gëzojmë në jetë dhe faktin se të qenurit të lumtur është e drejtë njerëzore dhe për të duhet festuar.
Me gjithë hallet që na i sjell jeta, zonja Valbona Pllana, ndjehet e lumtur që gëzon shëndet të plotë, sidomos në këtë periudhë, në të cilën po kalon i gjithë globi dhe në një rrëfim për Radio KFOR-in ajo mes tjerash nënvizoi: “Përderisa jam gjallë dhe e gjithë familja ime gëzon shëndet të plotë dhe duke qenë se çdo sfidë e kemi kapërcyer me sukses, padyshim që ndjehem e lumtur, jo vetëm sot, në këtë ditë të shënuar, por çdo ditë që hapi dhe mbylli sytë me shëndet të mirë. Do ju thoja të gjithëve, që të jenë më mirënjohës ndaj të mirave që kanë dhe të mos u japin theks problemeve me të cilat jeta na sfidon, por të mirave që i gëzojmë në jetë dhe të jemi të lumtur”, shtoi znj. Pllana.
Që nga viti 2013, Kombet e Bashkuara kanë shënuar ‘Ditën Ndërkombëtare të Lumturisë’, si një mënyrë për të njohur rëndësinë e lumturisë në jetën e njerëzve në të gjithë botën.