‘Ajër i pastër dhe qiell i kaltër’, kjo është njëra nga sfidat më të mëdha shëndetësore dhe mjedisore, e kohës së sotme. ‘Dita Ndërkombëtare e Ajrit të Pastër për Qiell të Kaltër’, e cila çdo vit shënohet me datën 7 shtator, ka për qëllim të promovoj dhe lehtësoj veprimet për përmirësimin e cilësisë së ajrit. Kjo ditë na shërben që të fokusohemi në natyrën, në ndotësit e ajrit duke theksuar nevojën për llogaridhënie kolektive dhe veprim kolektiv në përmirësimin e ajrit për të gjithë. E themeluar nga OKB-ja, kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin e publikut në të gjitha nivelet, sepse ajri i pastër është i rëndësishëm për shëndetin, produktivitetin, ekonominë dhe mjedisin.
Tema e cila është përzgjedhur sivjet që të shënoj këtë ditë, është “Së bashku për ajër të pastër”. Ajri i pastër është i rëndësishëm për shëndetin dhe jetën e përditshme të njerëzve, ndërsa ndotja e ajrit është rreziku më i madh mjedisor për shëndetin e njeriut dhe një nga shkaqet kryesore të vdekjeve dhe sëmundjeve në nivel global.
Ndotja e ajrit prek në mënyrë disproporcionale gratë, fëmijët dhe personat e moshuar e gjithashtu ka një ndikim negativ në ekosistemet tona.