Dhuna në familje, është prezente në shumë shoqëri, pavarësisht nga niveli i zhvillimit ekonomik apo social, është një fenomen global dhe prek të gjitha shtresat e popullsisë, duke përfshirë dhunimin e të drejtave qytetare, kulturore, ekonomike, politike dhe sociale të njeriut. Të dhënat alarmante nga e gjithë bota, lidhur me shkallën e dhunës në familje, konfirmojnë faktin se dhuna në familje është një problem i madh ndërkombëtar.
Dhuna në familje, sipas Policisë së Kosovës, po vazhdon të jetë evidente edhe në vendin tonë. Por, “Dhuna në familje” si vepër penale është e ndëshkueshme dhe e paraparë edhe me Kodin Penal të Kosovës, neni 248, sipas të cilit kushdo që kryen dhunë në familje apo keqtrajtim fizik, psikologjik ose ekonomik, me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënieje familjare, dënohet me gjobë dhe burgim deri në tre vjet.
Për t’i parandaluar rastet e dhunës në familje, Policia e Kosovës, kërkon bashkëpunim me të gjithë banorët e Kosovës. Policia u bën apel të gjithëve, që rastet e dhunës në familje t’i raportojnë, në këta numra të telefonit:
- 092 nga telefonia fikse
- 192 nga Vala
- 922 nga Ipko
- 080019999
- infor@kosovopolice.com
- Aplikacioni digjital ‘Lajmëro Policinë’.