Megjithë humbjen e të birit nga përdorimi i narkotikëve, znj Arjeta Musliu sot është pranë prindërve dhe të rinjve që përballen me probleme të ngjashme, nëpër të cilat ka kaluar ajo dhe familja e saj. Me dëshirën që nga fatkeqësia e saj familjare të mund të përfitojnë të tjerët, ajo bashkë me Komunën e Ferizajt, kanë hapur tashmë për herë të parë qendrën këshilluese për identifikimin dhe parandalimin e përdorimit të narkotikëve.
Të gjithë të pranishmit në hapjen e kësaj qendre, ishin të emocionuar me këtë nismë të veçantë të kësaj nëne duke pohuar që edukimi , informimi i drejt , lufta kundër narkotikëve dhe bashkëveprimi në kultivimin e një rinie sa më të shëndetshme, duhet të jenë preokupim i secilit prej nesh.
Theksojmë se znj Arjeta Musliu, e cila me profesion është psikologe dhe pedagoge, kohë më parë humbi djalin e saj Riadin, por vetes i dha një mision jetik, që të ofrojë një qendër të tillë, me qëllim parandalimin e këtyre dukurive që po kërcënojnë çdo ditë shoqërinë tonë, veçanërisht të rinjtë.