“Nëse ka magji në këtë planet, ajo përbëhet nga uji”, sepse uji është jetë dhe pa ujë nuk e kemi një magji të tillë. Për tu vënë në pah rëndësia e ujit dhe ngritja e vetëdijes botërore për rëndësinë e tij, data e sotme 22 Mars, i është ndarë shënimit të “Ditës Botërore të Ujit”. Në shënimin e kësaj dite, radio KFOR-i ka intervistuar Kryeshefin Ekzekutiv të Kompanisë Regjionale të Ujësjellësit “Prishtina”, z. Sokol Xhafa, i cili kërkoi nga të gjithë, që ujin ta shfrytëzojmë në mënyrë racionale: “Çdo ditë jemi dëshmitar dhe po i shohim e i ndjejmë ndryshimet klimatike, mungesën e ujit në burime dhe thatësi të gjata. Duke pasur në mendje nevojën e domosdoshme për ujë të pijes, kërkojmë nga të gjithë qytetarët që të mbrojmë burimet tona të ujit, ta ruajmë ujin për ne dhe gjeneratat që vijnë. Ky vit, ka pësuar ngritje të mëdha çmimesh, por uji vazhdon të jetë më lirë se 50 Euro/cent për 1000 litra ujë të pastër për pije. Të bëhemi qytetarë të ndërgjegjshëm, duke i lajmëruar keqpërdoruesit e ujit, për të siguruar një jetë më të mirë për fëmijët tanë, për të ardhmen tonë. Pagesa e faturës për ujë, gjithmonë përkthehet në shërbime më të mira dhe furnizim të qëndrueshëm. Paguaj dhe kurseje ujin, duaje jetën!”
“Dita Botërore e Ujit”, ka zënë vend të kalendarin e datave të rëndësishme, qysh nga viti 1993 dhe përveç që vë në pah rëndësinë jetësore që ka uji, gjithashtu ka për qëllim që të ngritë vetëdijen globale edhe për gjendjen e burimeve të ujit dhe mungesën e tij për mbi 2 milion banorë të planetit tonë.