Bazuar në romanin e Francis H. Burnet, sot (18.03.19) në ora 19:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, balerina dhe solistja, Stina Shala do të jetë protagoniste e shfaqjes “Një princeshë e vogël”. Përveç Stinës, magji në skenë do të dhurojnë edhe 150 fëmijë të tjerë, të cilët përmes performancës së tyre do të ofrojnë çaste mbresëlënëse për publikun. Edhe pse me plot emocione para përgatitëse, Stina i ndau ato emocione me dëgjuesit e Radio KFOR-it, ku mes tjerash theksoi: “Princeshën e dërgojnë në një kolegj, aty ku edhe fillon shtjellimi i ngjarjes, ku ka momente të bukura dhe të hidhura. Është një shfaqje shumë interesante dhe jam e bindur që publiku do të mirëpres dhe do të sjellim emocion, gëzim dhe kënaqësi”, tha mes tjerash princesha e vogël e kësaj shfaqje, Stina.
Ky projekt realizohet nga Qendra Kulturore e Fëmijëve të Prishtinës, regjinë dhe koreografinë e të cilës e ka realizuar Arian Plaku, me drejtuese vokali, Diellza Sylejmani Veseli.