Nëse i shijoni kungujt e pjekur dhe mollët e përpunuara, stina e vjeshtës është ajo e duhura për këto ushqime të freskëta dhe të shijshme. Por, përgjatë ndërrimit të stinëve, trupi i njeriut ka nevojë të ketë një kujdes të duhur, karshi stinës që hyjmë.
Se cilat janë vitaminat e duhura dhe çfarë duhet të veprojmë përgjatë kësaj stine, për Radio KFOR-in, foli mjekja e përgjithshme, Dr. Edea Blyta: “Ne gjithmonë rekomandojmë që së pari të vizitoni mjekun tuaj të përgjithshëm, për një test gjaku për të specifikuar se çfarë në të vërtetë i nevojitet trupit tuaj. Një jetë e ekuilibruar është e nevojshme për një shëndet optimal. Mendoni për një dietë të shëndetshme, gjumë të mjaftueshëm, marrje të bollshme të ujit, menaxhim të stresit, kohë të lirë dhe stërvitje.”
Vjeshta është stina kur kohëzgjatja e dritës së diellit shkurtohet dukshëm dhe temperaturat bien. Një nga karakteristikat e tij të shumta është edhe ndryshimi i ngjyrës së gjetheve dhe rënia e tyre e cila e bënë këtë stinë edhe më madhështore.