Konferenca e parë e muzikës në rajon ‘Prishtina Music Conference’, në edicionin e dytë që do të mbahet me datat 4 dhe 5 nëntor, 2022, në Kino Armata, do të bëjë bashkë komunitetin muzikor nga e gjithë bota, për të diskutuar rreth kësaj industrie të rëndësishme. Organizatorët tashmë kanë shpalosur panelin e të ftuarve për këtë vit dhe në një komunikatë për media, ata treguan më shumë rreth programit të këtij edicioni: “Konferenca do ketë mbi 25 panelistë. Mysafirët e lajmëruar deri tani, përfshijnë të ftuar internacional, siç është themeluesi i ‘Athens Music Week’ dhe organizatave tjera në industrinë muzikore, z. George Perot, pastaj ylli i muzikës në Bullgari dhe businesswoman e shquar në industrinë muzikore globale duke përfshirë edhe tregun evropian, atë kinez dhe amerikan, znj. Ruth Koleva, pastaj z. Zak Benfarhaun i cili është pjesë e UNUM Festival dhe Secret Society, znj. Rosana Corbacho – psikologe në industrinë e muzikës dhe bashkëthemeluese e M.I Therapy, znj. Sofie Søndervik Sæther organizatore, lidere muzikante dhe drejtoreshë e programit të JM Norway dhe z. Alison Guberek – themeluese e agjencisë Connektr, etj.”.
Të lajmëruar si pjesëmarrës janë edhe kontribuuesit e skenës tonë muzikore dhe më gjerë si: ylli i muzikës jazz me famë botërore, Elina Duni, pastaj Berna Caka, Genc Salihu, Florent Boshnjaku, Andrra Music apo Fatime Kosumi, Ilir Bajri, Nita Deda, Veton Nurkollari, Rubin Beqo, Danier Shkurti, Donika Hyseni, Bim Bimma, Ergeni, K Master, Mirelinda Cervadiku dhe Alban Kastrati, e shumë të tjerë.
Konferenca ka për qëllim të ngrisë diskutime mbi temat specifike dhe gjithëpërfshirëse për industrinë e muzikës dhe për të sjellë perspektiva të reja mbi zhvillimin e muzikës në Kosovë, rajon dhe në botë.