7 Dhjetori, në kalendarin e Kombeve të Bashkuara i është ndarë shënimit të “Ditës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil”. Për të kuptuar rëndësinë e kësaj dite, Radio KFOR-i ka zhvilluar intervistë me Drejtorin e Përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, z. Bujar Ejupi, i cili nënvizoi rëndësinë që ka aviacioni civil në zhvillimin e një vendi dhe gjithashtu tha: “Kjo ditë shërben për rritjen e vetëdijesimit për rëndësinë e aviacionit civil dhe ndikimin e tij në zhvillimin socio-ekonomik të një vendi. Edhe shoqëria kosovare duhet që të vetëdijesohet sa i përket rëndësisë së aviacionit dhe ndikimin e tij në vend. Ndikimi i aviacionit lidhet me punësim, me gjenerim të rritjes ekonomike dhe gjithashtu me çështjen sociale, që ka të bëjë më lëvizjen sa më të lehtë të njerëzve mes Kosovës dhe vendeve të tjera të botës. Rëndësi të veçantë sa i përket Kosovës, ka diaspora, duke e ditur që ne kemi një diasporë të madhe, prandaj ofrimi i mundësisë që diaspora të udhëtojë shpesh dhe lirë në Kosovë, është shumë e rëndësishme. Prandaj, kjo ditë, le të shërbej që të kuptojmë se ka edhe shumë punë për tu bërë, në zhvillim të aviacionit në Kosovë.”
Z.Ejupi, tha ndër të tjera se viti 2021, ka shënuar shumë arritje për Kosovës në fushën e aviacionit civil, duke përmendur zgjatjen e pistës në Aeroportin Ndërkombëtar, në 3.000 metra, po ashtu edhe instalimin e pajisjeve të navigimit ajror, të cilat mundësojnë që fluturimet të bëhet pa u ndërprerë edhe kur ka mjegull si dhe do të kemi fluturime në distanca edhe më të largëta.