‘Dita Ndërkombëtare e Konsumatorit’, e cila shënohet sot (15.03.22), ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve, rritjen e ndërgjegjësimit global për të drejtat dhe nevojat e konsumatorëve dhe shërben si një shans për të kërkuar që të drejtat e të gjithë konsumatorëve, të respektohen dhe të mbrohen.
Për të shënuar këtë ditë, Radio KFOR-i ka biseduar me ekspertin për kauzën për të drejtat, obligimet, interesat dhe dinjitetin e konsumatorit, me Kryetarin e OJQ-së “Konsumatori”, z. Selatin Kaçaniku, i cili tha: “Dita Botërore e të Drejtave të Konsumatorit është shansi ynë për të dhënë ndikim real për konsumatorët dhe për t’i kujtuar botës, rëndësinë e respektimit dhe zbatimit të të drejtave të konsumatorëve. Mënyra më e mirë për kujdes ndaj konsumatorëve, është që secili nga ne të jemi të informuar e të edukuar, të ngritim në vazhdimësi kulturën, emancipimin, civilizimin dhe të vetëdijesohemi që të jemi partner me vendin tonë, sepse vetëm në këtë mënyrë ne i ndihmojmë vetes dhe vendit në mënyrë reciproke.”
Dita e sotme, thekson fuqinë e konsumatorëve dhe të drejtat e tyre për një treg të drejtë, të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë.