Që nga viti 2000, Organizata e Kombeve të Bashkuara, ka vendosur që data 18 dhjetor t’i ndahet shënimit të “Ditës Ndërkombëtare të Emigrantëve”. Për të shënuar këtë ditë, Radio KFOR-i ka realizuar një intervistë me zëvendësministrin në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Yildiray Bayram, i cili tregoi se sa është e përgatitur Kosova për të trajtuar emigrantët: “Ne si Kosovë jemi duke u ballafaquar shumë me këtë sfidë, meqenëse nuk jemi vend tranzit, mirëpo gjërat janë duke shkuar në atë drejtim që me marr një lloj statusi tranzit Kosova, e vet fakti që numrat po rriten nga viti në vit, e tregon këtë realitet. Ne në vazhdimësi po bëjmë përgatitje për t’u ballafaquar që në mënyrë maksimalisht profesionale, me i trajtu azilkërkuesit në mënyrën e duhur. Ne kemi 3 kampe për momentin dhe më i madhi është kampi “Belvedere”, në Mitrovicë. Kemi bërë përgatitje për pritjen e azilkërkueseve edhe në pikat kufitare. Aktualisht kemi shtretër në numër të mjaftueshëm dhe po kemi bashkëpunim të vazhdueshëm me UNHCR dhe IOM me të cilët së shpejti do të realizojmë një takim për të ndërmarr hapat e mëtutjeshëm.
Z. Bayram gjithashtu tha se trajtimi i emigrantëve duhet të jetë punë e përditshme institucionale e jo të limitohet vetëm në shënimit e “Ditës Ndërkombëtare të Emigrantëve”.
Ndryshe “Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve”, është caktuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e cila e mori vendimin për të vlerësuar mundin dhe përpjekjet e të pambrojturve, duke marrë parasysh numrin e madh në rritje të tyre në mbarë botën.