‘Dita Botërore e Alfabetit Brail’ shënohet çdo vit me 4 janar, në ditëlindjen e shpikësit francez të këtij alfabeti, Louis Braille, për të nderuar kontributin e tij për të ndihmuar njerëzit e verbër dhe me shikim të dëmtuar, të lexojnë dhe të shkruajnë si dhe për t’ju ofruar atyre mundësi të barabarta në komunikim dhe qasje në informata.
Zbulimi i këtij alfabeti ishte një shpikje e madhe historike, që ndryshoi përgjithmonë mënyrën e komunikimit për të verbrit dhe për personat me shikim të dëmtuar meqë ju mundësoi miliona personave në gjithë botën, të drejtën themelore për arsimim dhe komunikim më të lehtë.
Për nder të kësaj ditë, Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë, me kryetarin e ‘Shoqatës së të verbërve të Kosovës’, Daut Tishuki, i cili tregoi rreth rëndësisë së kësaj ditë dhe aktiviteteve që do të organizojnë: “Shkrimi Braille, është shkrimi i vetëm i personave të verbër dhe kjo ditë është shumë e rëndësishme për të gjithë personat e verbër dhe ata me shikim të dëmtuar në gjithë botën, pasi me këtë alfabet e kemi më të lehtë komunikimin dhe qasjen në informacione. Për këtë ditë, do të organizojmë një tryezë të rrumbullakët në Prizren me 5 dhjetor nga ora 11:00 në hotel Centrum, ku do të diskutojmë mbi jetën dhe vdekjen e shpikësit të këtij alfabeti, Louis Braille.”
Organizatat joqeveritare në të gjithë botën dhe institucione të ndryshme, vazhdimisht punojnë për të rritur ndërgjegjësimin rreth sfidave me të cilat përballen individë me probleme shikimi dhe për të inkurajuar shoqëritë dhe institucionet që të krijojnë mundësi ekonomike, sociale dhe kulturore të barabarta për të verbrit.
Sipas ‘Organizatës Botërore të Shëndetësisë’, globalisht numri i njerëzve me shikim të dëmtuar vlerësohet të jetë mbi 200 milion, nga të cilët rreth 39 milion persona janë të verbër.