Janari është muaji më aktiv sa i përket pushimeve dimërore, të planifikuara nga njerëzit nëpër lokacione të ndryshme turistike, qoftë brenda apo jashtë vendit. Mirëpo edhe këtë fillim vit, nga të gjithë po kërkohet një vetëdije sa më e madhe sa i përket planifikimit të këtyre pushimeve, me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë ‘CoViD-19’.
Radio KFOR-i ka kontaktuar infektologun, Dr. Arben Vishaj, i cili ka treguar se si duhet të sillemi në mënyrë të përgjegjshme, në mënyrë që të mbrohemi nga ‘CoViD-19’: “Dukuria e pushimeve në fundvit nuk është vetëm tek ne, kjo problematikë është aktuale në tërë Evropën dhe tërë botën, mirëpo kujdesi duhet të jetë i shtuar veçanërisht në ato zona ku ka grumbullim të madh të turmave, në kuptimin e mbajtjes së distancës së paku 1 metër e gjysmë, mbajtjes së maskës në mënyrën e duhur dhe higjienës së duarve sa më shumë që të jetë e mundur. Ky trinom dhe ky ritual është e vetmja mënyrë e shmangies së përshkallëzimit të situatës me Covid.”
Shëndeti ynë dhe i familjarëve tanë është më i rëndësishëm se pushimet, andaj në mbarë botën është rekomanduar që të shmangen udhëtimet e panevojshme, festat të kalohen vetëm me rrethin e ngushtë familjar, të shmangen në maksimum vizitat tek të afërmit si dhe të ulim në minimum kohën e kaluar në hapësira të mbyllura ku ka shumë njerëz.