‘Dita Botërore e Zogjve Shtegtarë’ shënohet botërisht çdo vit me datën 10 tetor, për të ndihmuar në rritjen e vetëdijesimit global, për kërcënimet me të cilat përballen zogjtë shtegtarë.
Migrimi i shpezëve është një proces i natyrshëm, përmes të cilit zogj të ndryshëm fluturojnë në distanca prej qindra e mijëra kilometrave, në mënyrë që të gjejnë kushtet më të mira ekologjike dhe habitate për tu ushqyer, shumuar dhe rritur të vegjlit e tyre.
Për nder të kësaj ditë Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë, me zyrtarin për biodiversitet nga ‘Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës’, Qenan Maxhuni, i cili tregoi për rëndësinë e kësaj ditë: “Dita Botërore e Shpendëve Shtegtarë është një fushatë ndërgjegjësuese që nxjerr në pah nevojën për ruajtjen e shpendëve shtegtarë dhe habitateve të tyre. Ai synon të tërheqë vëmendjen ndaj kërcënimeve me të cilat përballen shpendët shtegtarë, rëndësisë së tyre ekologjike dhe nevojës së bashkëpunimit ndërkombëtar për t’i ruajtur ato. Edhe pse ky event është shënuar disa herë në Kosovë, këtë vit për shkak të situatës me pandeminë ‘Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit’, nuk e ka shënuar këtë ditë me ndonjë aktivitet.”
‘Dita Botërore e Zogjve Shtegtarë’ u krijua në vitin 2006, nga ‘Konventa e Programit të Mjedisit të Kombeve të Bashkuara për Speciet Migratore’, si një mënyrë për të rritur ndërgjegjësimin rreth zogjve migrues. Këtë vit kjo ditë shënohet me moton: ‘Zogjtë lidhin botën tonë’. Kjo temë është zgjedhur për të shprehur rëndësinë e ruajtjes dhe rivitalizimit të lidhjes ekologjike dhe integritetit të ekosistemeve, që mbështesin lëvizjen natyrale të zogjve shtegtarë dhe që janë thelbësore për mbijetesën dhe mirëqenien e tyre.