‘Dita Botërore e Sindromit Down’ shënohet çdo 21 Mars dhe shënohet me qëllim të ndërgjegjësimit, vetëdijësimit dhe informimit global, për komunitetin e prekur nga sindroma Down, në mënyrë që asnjë nga ata të mos mbetet prapa. Udhëheqësja e shoqatës Down Syndrome Kosova (DSK), Sebahate Beqiri, në një prononcim për Radio KFOR-in, lidhur me këtë ditë tha se në Kosovë janë bërë ndryshime për të mirë, mirëpo sipas saj ende ka nevoja të mëdha për këtë komunitet.
“Sipas ligjit edhe fëmijëve të prekur me sindromin down i garantohet e drejta për shkollim, ndërsa prindërit vazhdojnë ende të paguajnë vetë asistentët nëpër shkolla”, tha Znj. Beqiri për Radio KFOR-in.
Ajo shtoi gjithashtu se është duke u punuar në një koncept dokument që do të përmirësoj legjislacionin për komunitetin e fëmijëve me këtë sindrom. Për nder të kësaj dite, sot në Prishtinë përurohet zyra e re e shoqatës ‘Down Syndrome Kosova’, shoqatë kjo e cila sipas Znj. Beqiri, ka të regjistruar 970 persona me këtë sindrom.