Mendimet e kokës dhe gjendjes shpirtërore shpeshherë shprehen me vargje, e vargjet e pëlqyera lexohen gjithandej dhe barten gjeneratë pas gjeneratë, duke i shndërruar në këngë, në letra dashurie dhe dedikime të veçanta. Duke e vlerësuar këtë magji të poezisë, Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara (UNESCO), në vitin 1999, vendosi që datën 21 mars të shpallë edhe si Ditën Botërorë të Poezisë, qëllimi i së cilës është përkrahja e leximit të poezisë, nxitja e krijimtarisë poetike dhe botimi i saj. Pikërisht për këtë ditë, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë botën organizohen aktivitete të ndryshme për të vlerësuar dhe rikujtuar fuqinë e poezisë në letërsi, e cila është një shtyllë e traditës gojore dhe mund të komunikojë vlerat e kulturave të ndryshme përgjatë shekujve. Radio KFOR-i ju uron ‘Ditën Botërore të Poezisë’, me vargjet e poezisë “Mall” të shkrimtarit me renome botërore, Ismail Kadare:
MALL
Ca pika shiu ranë mbi qelq.
Për ty unë befas ndjeva mall.
Jetojmë të dy në një qytet,
Dhe rrallë shihemi, sa rrallë.
Edhe m’u duk pak e çuditshme
Si erdh kjo vjeshtë, ky mëngjes.
Qiejt e ngrysur pa lejlekë
Dhe shirat pa ylberë në mes.
Dhe thënia e vjetër e Heraklitit
Seç m’u kujtua sot për dreq :
« Të zgjuarit janë bashkë në botë,
Kurse të fjeturit janë veç ».
Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq,
Që dot s’po zgjohemi ne vallë ?…
Ca pika shiu ranë mbi qelq
Dhe unë për ty seç ndjeva mall.