Data e sotme, 7 korrik i është ndarë shënimit të “Ditës Botërore të Çokollatës”. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për çokollatë me qumësht, çokollatë të nxehtë, tortë me çokollatë apo diçka tjetër të zhytur në çokollatë, kjo ditë është për gjithçka që ka të bëjë me çokollatën dhe për adhuruesit e saj.
Por nga vjen çokollata dhe si bëhet ajo?
Çokollata vjen nga fara e pemës së kakaos, bima tropikale e njohur me emrin latin “Theobroma”. Kakao është kultivuar për të paktën tre mijëvjeçarë dhe rritet në Meksikë, Amerikën Qendrore dhe Amerikën e Jugut. Gjetjet arkeoligjike për përdorimin e farave të kakaos datojnë nga rreth 1100 vite para Krishtit. Aztekët e donin dhe vlerësonin shumë kokrrën e kakaos, aq sa e përdorën atë si monedhë gjatë kulmimit të qytetërimit të tyre. Meqenëse farat e pemës së kakaos kanë një shije shumë të fortë, të hidhur, ato duhet të fermentohen për të zhvilluar aromën e këndshme që e njohim. Pasi të fermentohen, farat thahen, pastrohen dhe piqen. Pas pjekjes, lëvozhgat e farave hiqen për të prodhuar pastaj pluhurin e kakaos, që përbën çokollatën e pastër në formën e papërpunuar. Masa e kakaos pastaj përpunohet me ose pa përbërës të tjerë për të na dhënë produketet e çokollatës që sot njohim. Pas arritjes së evropianëve për herë të parë në kontinentin e Amerikës, fretërit spanjollë e sollën kakaon në Evropë në manastire të ndryshme, duke e përhapur me lehtësi nëpër kontinentin evropian. Çokollata me qumësht për herë të parë u zbulua në Zvicër. Daniel Peter krijoi recetën e shijshme më 1875, pas tetë vjetësh përpjekje që ta bëjë recetën e tij të funksionojë. Hulumtimet kanë zbuluar që çokollata, kur konsumohet në masë të vogël, mund të ulë presionin e gjakut dhe të ndihmojë shëndetin në shumë aspekte.
Për “Ditën Botërore të Çokollatës” ndani me miqtë tuaj një ëmbëlsirë të shijshme çokollate apo provoni ndonjë shije të re çokollate që nuk keni provuar më herët, e pse jo të provoni një reçetë të re të ndonjë ëmbëlsire me çokollatë.
#WorldChocolateDay