Jo më kot thuhet që të gabosh është njerëzore, ndërsa të falësh është hyjnore! Pikërisht sot ,7 korrik, është ‘Dita Ndërkombëtare e Faljes’, e cila ka për synim të inkurajojë faljen si një element të rëndësishëm të shëndetit personal të njeriut.
Në një prononcim për Radio KFOR-in, publicistja Ganimete Pashoja- Myftiu, tregoi këndvështrimin e saj përkitazi me faljen:
“Falja nuk është nocion, është proces. Nëse zgjedh të mos falësh në fund të këtij procesi, kjo nuk do të thotë që nuk je shëruar dhe se je njeri i vogël. Çështja qëndron në faktin se përqendrimi në përgjegjësinë tonë për të falur, lë mënjanë dhe anashkalon gjithë procesin. Përgjegjësia jote e vetme është të mbërrish në atë destinacion i cili është i vërteti për ty. Por, falja mund të jetë një gjë e bukur… dhe është thelbësore që ajo të lindë në mënyrë autentike”, nënvizoi mes tjerash. Znj.Pashoja Myftiu.
Një studim i Universitetit të Wisconsin, tregon se njerëzit që kanë falur vuanin më pak nga sëmundje të caktuara, përderisa të tjerët që nuk kanë falur, ose kanë falur më pak pësuan një numër më të madh të problemeve shëndetësore.
Në këtë ditë të shënuar, do të ju rekomandonim që të falni ata që mund të ju kenë lënduar, sepse pikërisht falja është virtyt i të fortit.