Data e sotme 3 Qershori, shënon ‘Ditën Botërore të Biçikletës’, e vendosur kështu nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Kjo ditë shënohet për të njohur më mirë jetëgjatësinë e biçikletës si një mjet transporti që përdoret për më shumë se dy shekuj.
Në këtë ditë, Radio KFOR-i ka biseduar me anëtarin e grupit “Marakli t`Bicikletave”, Gazmir Raci, i cili na ka treguar rreth aktiviteteve të shumta: “Në këtë grup të biciklistëve, jam që nga fillimi i vitit 2019 dhe deri tash kam qene pjesë e disa ngjarjeve, e sidomos në kuadër të fushatës “Çiklo Sigurt”. Gjatë pandemisë kam kontribuar me përgatitjen dhe përkthimin e kurioziteteve rreth këtij sporti me qëllim vetëdijësimin e komunitetit jo vetëm për bicikletën por edhe për përfitimet që sjell ngasja e këtij mjeti. Jemi duke punuar me institucionet përkatëse që në vendin tonë të ketë sa më shumë shtigje dhe kushte sigurie për çiklistët tanë”.
Çiklizmi konsiderohet si një ndër mjetet më të preferuara të transportit, për shkak të ndikimit pozitiv që ka në shëndetin tonë dhe po ashtu është një mjet transporti që nuk dëmton aspak mjedisin tonë.