Për të 16-in vit me radhë nën organizimin e “B Models” dhe “IB Events”, do të mbahet “Prishtina Fashion Nights”, ku adhuruesit e veshjeve të bukura, më 17 qershor, do të kenë mundësi të shohin modele të prezantuara nga dizajnerë të njohur kosovarë. Për të ditur më shumë rreth këtij eventi, Radio KFOR-i kontaktoi njërin nga organizatorët e “Prishtina Fashion Nights”, Blodin Karaxha, i cili tregoi për ndryshimet që pritet të bëhen gjatë këtij viti: “Zakonisht ky event mbahet në muajin prill, por për shkak të pandemisë është shtyrë deri më datën 17 qershor. Pastaj ky event zakonisht është mbajtur dy net brenda një edicioni, por kësaj radhe do të mbahet vetëm një natë. Normalisht, gjatë këtij eventi ne do t’i respektojmë të gjitha rregullat, së pari është distanca, dezinfektimi, dorezat, maskat e të gjitha këto do të jenë brenda organizmit. Nëse lejohet, ky event do të mbahet me publik të reduktuar, nëse jo do t’i bëjmë vetëm incizimet. E rëndësishme është të mos e humbin një edicion, pasi që ky event tashmë është tradicional. Por, po shpresojmë se do t ‘na lejojnë ta mbajmë eventin, normalisht me rregullat e reja mbrojtëse.”
“Prishtina Fashion Nights” kësaj radhe do të prezantojë veshje për fëmijë, për të rritur si dhe në fund do të jetë edhe “Akademia Evolucion”, me nxënësit e saj.