Organizata Ndërkombëtare e Filmave të Animuar, që nga viti 2002, shënon zyrtarisht në çdo 28 tetor ‘Ditën Botërore të Animacionit’, për të nderuar lindjen e animacionit, artit të imazheve lëvizëse që për herë të parë u projektuan në vitin 1892, në teatrin ‘Optique’, në Paris.
Për nder të kësaj dite, Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me koordinatoren e projekteve në festivalin e animacionit ‘Anibar’, Zana Ramoviç, e cila tregoi për punën e tyre mbi një dekadëshe dhe rëndësinë e animacionit: “Anibar ka dëshmuar tash e 10 vite, se rëndësia e animacionit tek të rinjtë shkon përtej zhvillimit të aftësive dhe njohurive të tyre ,duke iu ofruar hapsirën për të krijuar dhe lobuar për çështje me rëndësi për ta. Kontributi i ‘Anibarit’, në fushën e animacionit në Kosovë gjatë festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar, ka qenë edhe shfaqja e filmave të animuar të krijuar nga të rinjtë e Kosovës në prani të mijëra mysafirëve të këtij festivali, krahas qindra filmave nga e gjithë bota. Ky festival këtë vit ka shënuar edicionin e 11-të, ku përpos diskutimeve dhe filmave të animuar nuk kanë munguar as punëtorit e animacionit për fëmijë. Një degë e rëndësishme është edhe Akademia e Animacionit, ku grup mosha të ndryshme tash e 4 gjenerata janë duke mësuar më shumë për botën e animacionit dhe teknika të animimit. Kjo akademi ka prodhuar animatorë të rinj, tashmë të punësuar mirëpo edhe të tjerë të cilët po ndjekin studimet e larta për Animacion.”
Znj. Zana theksoi gjithashtu se kjo ditë është e rëndësishme për organizatën e tyre pasi që sot festohet arti i animacionit. Anibar është angazhuar që këtë ditë ta shënojë me punëtori dhe shfaqje të filmave për fëmijë dhe të rritur në Kinemanë ‘Jusuf Gërvalla’, në Pejë.