Qendra ‘Termokiss’, e drejtuar nga komuniteti në Prishtinë me mision këmbimin urban dhe civil, reflektimin dhe ndryshimin edhe në kohë pandemie ka qenë shumë aktive në organizimin e ngjarjeve të ndryshme. Duke filluar prej sot (28 tetor) nga ora 12:00, kjo qendër ka hapur dyert për të gjithë personat që duan të mësojnë rreth kopshtarisë, një punëtori që do të zgjatë pesë ditë. Organizatorja e komunitetit në ‘Termokiss‘, Fjolla Brisku, për Radio KFOR-in tregoi më shumë për këtë punëtori dhe për gjërat që pjesëmarrësit do të kenë mundësi të mësojnë: “Në kuadër të festivalit ‘Krejt Ka Pak V: Me Zemër Ngat’, i ftojmë të na bashkohen të gjithë ata që duan të dinë rreth kopshtarisë, në punëtorinë pesë ditore të Klubit të Kopshtarisë, ku do te kemi mundësinë të mësojmë duke punuar mbi procesin e mbjelljes. Këtë verë qendra jonë ka ndërtuar një serë në kopshtin tonë, në mënyrë që klubi i kopshtarisë t’i vazhdojë aktivitetet e veta. Mbjellja do të bëhet duke u përmbajt në planin e kopshtit. Gjatë kësaj punëtorie do të mësoni rreth mbjelljes, përgatitjes së kompostit, rregullimit të serës dhe çdo gjë që ka të bëjë me kopshtarinë.”
Në ditën e parë të punëtorisë, do të mund të merrni mësime nga ekspertët e kopshtarisë nga ‘Fondacioni Jeshil‘, ditën e dytë ligjërues do të jetë, arkitekti Pajtim Krasniqi, ditën e tretë, të katërt dhe të pestë, mund të mësoni gjëra të ndryshme nga kopshtarja në Termokiss, Gresë Lahu.