Organizata për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE) me mision në Kosovë, më 6 shtator të vitit 1999, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, kishte hapur Shkollën e parë të Policisë së Kosovës dhe aty filloi trajnimin e kandidatëve të parë, për tu bërë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Gjenerata e parë e kandidatëve për pjesëtarë të këtij shërbimi, numëronte 176 pjesëtarë, të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe më pas filluan ushtrimin e veprimtarisë policore në gjithë territorin e Kosovës. Në vitin 1999, u krijua Shërbimi Policor i Kosovës që për bazë mbarte vlerat e një policie demokratike, profesionale, e hapur, e barabartë për të gjithë, e interesuar të ofrojë zbatim të ligjit në mënyrë profesionale, të mbrojë të drejtat e liritë e njeriut, të mbajë rendin e qetësinë publike dhe të ofrojnë një shërbim policorë profesional në të gjitha aspektet që u kërkohen.
Të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët tashmë janë mbi 9 mijë zyrtarë, nga të dy gjinitë dhe nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, janë të përkushtuar në shërbimin e tyre, duke u mbështetur në vizionin, misionin dhe vlerat e këtij shërbimi.