Në kohën kur teknologjia e komunikimit është në zhvillimin e saj më të lartë, të komunikosh më dikë përmes letrave, tregon se sa shumë e keni për zemër atë person. Dërgimi i letrave dhe kartolinës ka qenë një traditë shumë e zhvilluar në gjithë botën, kurse me zhvillimin e teknologjisë kjo traditë po shuhet.
Data e sotme 9 Tetor, shënon ‘Ditën Botërore të Postës’, për të treguar kështu rëndësinë e këtij shërbimi dhe kontributin që ka posta në shoqëri dhe në ekonominë globale. Por, a janë në dijeni të rinjtë për shënimin e kësaj dite dhe se sa i shfrytëzojnë shërbimet e postës, lidhur me këtë, Radio KFOR-i kontaktoi Albulena Hasani, e diplomuar në Universitetin e Prishtinës: “Nuk kam informata që sot shënohet ‘Dita e postës’. Hera e fundit që kam shfrytëzuar shërbimet e postës ka qenë për aplikim në njërën nga institucionet publike të Kosovës. Unë jetoj në Mitrovicë dhe është shumë më ekonomike të përcjellë dokumentacione me postë, sesa të udhëtoj për të dorëzuar një aplikacion.”
Ndërsa, Jeta Haxhaj, lidhur me shënimin e ditës së sotme thotë: “Shërbimet postare i përdorë më tepër për qejf. Herën e fundit që kam dërguar letër me postë, është ditëlindja e shoqes së ngushtë, e cila jeton në Austri. I kam bërë befasi për ditëlindje me një formë më klasike të urimit.”
Të gjithë ne mund ta festojmë edhe individualisht këtë ditë qoftë duke shfrytëzuar 9 Tetorin, për të falënderuar të gjithë postierët për shërbimin e tyre ose edhe duke befasuar të dashurit tanë me ndonjë kartolinë.