Edicioni i 19-të i Festivalit Ndërkombëtar të Prishtinës “ReMusica”, i cili kishte nisur më 7 shtator, do të përmbyllet sot, më 21 shtator.
Ky edicion ka qenë i suksesshëm, pavarësisht që u është përshtatur rrethanave të krijuara nga pandemia ‘Covid-19’, thotë për Radio KFOR-in drejtoresha e këtij Festivali, Donika Rudi, e cila shtoi: “Përgjithësisht ky vit, ka qenë një vit i suksesshëm dhe patëm një rrufe koncertesh fantastike me interpretime të mrekullueshme, duke filluar që nga hapja me kuartetin ‘Ebonit Saxophone Quarte’t, që dhanë koncertin nga ‘Concertgebouw Amsterdam’, ansamblin atraktiv nga Austria ‘Trio Klavis’, dyshen e jashtëzakonshme, Jeremy Jouve dhe Pierre Fouchenneret, që na mrekulluan me interpretimin e tyre direkt nga Parisi, pastaj koncertet me artistët kosovarë, si Visar Kuçi & Lirika Pula Kasapolli, Besa Llugiqi & Misbah Kçamaku, artistët e rinj nga Kosova ‘Skena e Re’ dhe si përfundim koncerti i mrekullueshëm me ansamblin shumë serioz nga Gjermania ‘Minguet String Quartet’. Kam përshtypje se me gjithë të këqijat e vështirësitë gjatë kësaj periudhe, pandemia na bëri të jemi edhe më afër njëri-tjetrit, duke përkrahur njëri-tjetrin dhe të punojmë bashkërisht për këtë edicion, i cili erdhi me temën e shpresës.”
Tutje, znj. Rudi përçoi një mesazh për rëndësinë e mbajtjes së këtij festivali në këtë kohë pandemie. “Muzika është një medium i ushqimit shpirtëror edhe thelbësor për jetën e njeriut. Punën që kemi bërë për realizimin e Festivalit e kemi bërë pikërisht për shkak të nevojës për të, për shkak të shpresës që ajo na jep, si katalizator për krijimtari dhe vetë jetën.”