Policia e Kosovës në bashkëpunim me institucionet e tjera të sigurisë në vend, tash e disa vite kanë ndërmarrë aksionin ‘Stop drogave në shkolla’, në përpjekje për të parandaluar dhe luftuar përdorimin e narkotikëve në shkollat fillore dhe të mesme në gjithë Kosovën. Përdorimi i substancave narkotike në shkolla mbetet një problem serioz në vend. Policia e Kosovës vetëm në gjashtë mujorin e parë të vitit 2019, ka arrestuar 725 persona për raste të trafikimit me droga, derisa nga të dhënat e Qendrës Mediko-Psikoterapeutike ‘Labirint’ është bërë e ditur se mosha mesatare e përdoruesve të drogës në vend është 16 vjeç.
Radio KFOR-i ka zhvilluar një bisedë më zëdhënësin e Policisë së Kosovës Daut Hoxha, i cili tregoi për këtë aksion që ka sjellur edhe rezultate pozitive në përmirësimin e kësaj dukurie dhe që luftimi i përdorimit të narkotikëve në shkolla mbetet një nga prioritetet e Policisë së Kosovës: “Vitet që po lëmë pas zyrtarët policor kanë qenë të angazhuar në mënyre intensive në zbatim të Urdhrit Operativ `Stop drogave në shkolla`, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policimit në Bashkësi dhe Preventivë, në tërë Kosovën. Në shkolla fillore dhe të mesme, janë mbajtur ligjërata me nxënës, ligjërata dhe takime me prindër të nxënësve, paraqitje në emisione televizive etj. Në këtë kontekst ka pasur rezultatet konkrete në parandalimin e rasteve, arrestimin e personave të dyshuar (përfshirë edhe nxënës) dhe janë bërë konfiskime të substancave të dyshuara narkotike”.
Zëdhënësi i PK-së, Hoxha, tregoi më tej se gjatë këtij viti për shkak të shfaqjes së pandemisë edhe aktivitetet apo planifikimet policore kanë qenë fleksibile dhe u janë përshtatur vendimeve dhe planeve tjera të autoriteteve vendore, përfshirë edhe ndërprerjen e procesit mësimor nëpër shkolla, duke siguruar edhe njëherë se të gjitha aktivitete policore kanë qenë dhe janë të përqendruara në mbajtjen e rendit, sigurisë publike dhe ruajtjen e shëndetit të qytetarëve në përgjithësi.