Aleanca Franceze në Prishtinë, në bashkëpunim me OJQ-në “ENEA” dhe me mbështetjen e Ambasadës së Francës në Kosovë do të nisin sot, më 4 dhjetor, një fushatë për shkëmbimin e librave në gjuhën frënge, të titulluar “Allô bouquin? Një libër për t’u huazuar!”. Kjo fushatë do të hapet me një program festiv me këngë e poezi franceze, që do të mbahet në objektin e Aleancës, sot nga ora 11:00.
Mirëpo, se cili është qëllimi i kësaj fushate dhe kush mund të marrë pjesë, për Radio KFOR-in ka treguar drejtoresha e Aleancës Franceze në Prishtinë, Znj. Anne-Sophie Veyrier, e cila tha: “Ky projekt është i hapur për të gjithë banorët e Prishtinës, nga 3 deri në 100 vjeç. Kemi libra për të gjitha moshat, për të gjitha shijet dhe për të gjitha nivelet e aftësive franceze. Për të marrë pjesë, thjesht plotësoni një formular për të na treguar se cilat janë llojet tuaja të preferuara të librave dhe moshën tuaj dhe ju do të kontaktoheni për të marrë librin tuaj. Ne me të vërtetë i inkurajojmë të gjithë të marrin pjesë: edhe nëse nuk keni një njohuri të përsosur të gjuhës frënge, ne jemi të sigurt që do t’ju gjejmë një libër që ju përshtatet dhe që ju pëlqen. Kjo është mundësia për t’u hapur me një kulturë tjetër.”
Tutje, Znj. Anne-Sophie Veyrier, për Radio KFOR-in ka thënë se përmes kësaj fushate po mundohen që të bëjnë më të gëzueshme kohën që njerëzit po kalojnë nëpër shtëpi për shkak të pandemisë: “Qëllimi është të lejojmë njerëzit të vazhdojnë të lexojnë dhe zbulojnë letërsinë franceze, ndërsa qëndrojnë të qetë në shtëpi. Pandemia na ka bërë të mendojmë shumë për zhvillimet teknologjike dhe digjitale,dhe megjithatë libri mbetet një nga mënyrat më të njohura për të ëndërruar dhe pastruar mendjen tuaj. Për të shpërndarë librat te pjesëmarrësit, ne zgjodhëm të organizonim shfaqje të vogla artistike franceze në disa rrethe të Prishtinës. Kështu, pjesëmarrësit do të kenë një surprizë të dyfishtë: të zbulojnë librin që kemi zgjedhur për ta si dhe të marrin një moment të kulturës franceze.”
Librat mund të huazohen për një periudhë tre javore, derisa ju do të kontaktoheni sërish nga organizatorët, për të caktuar ditën për rikthimin e librave.