Që nga viti i kaluar, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, datën 4 dhjetor ia ka ndarë shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Bankave.
Kjo ditë është shënuar këtë vit edhe në Kosovë, nga Shoqata e Bankave të Kosovës, të cilët kanë organizuar Konventën Vjetore të Shoqatës së Bankave të Kosovës, e cila këtë vit është mbajtur në mënyrë virtuale, për shkak të situatës që ka krijuar pandemia ‘CoViD-19’. Radio KFOR-i ka kontaktuar Drejtorin Ekzekutiv të Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, i cili ka treguar se pse është e rëndësishme që Dita Ndërkombëtare e Bankave të shënohet çdo vit: “Sektori bankar është një nga shtyllat më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik të një vendi. Kjo ditë mundëson sensibilizimin në këtë aspekt, por për më shumë, paraqet edhe një mundësi ku mund të diskutohet për veprime konkrete që duhet të ndërmerren për te rritur qasjen në financa dhe gjithë përfshirjen financiare të popullatës. Shoqata e Bankave të Kosovës vazhdon të ketë një rol të rëndësishëm në organizimin e fushatave dhe aktiviteteve informuese për publikun.”
Në Ditën Ndërkombëtare të Bankave, ai përçoi edhe këtë mesazh: “Bankat janë në shërbim të ekonomive familjare dhe bizneseve për të ju ndihmuar atyre që të realizojnë planet dhe projektet e tyre, duke ju mundësuar qasje në financa dhe shërbime të pagesave. Përveç kësaj, bankat kanë edhe rolin e këshilltarit të besuar të klientëve të tyre gjatë vendimmarrjes në menaxhimin financiar. Prandaj, ky partneritet është shumë i rëndësishëm për shoqërinë tonë në Kosovë.”