Nelson Mandela ishte një nga ata njerëz që jetën e tij ia kushtoi luftës për të drejtat e të tjerëve, mbrojti të drejtat e njeriut dhe u burgos në luftën e tij për paqe. Nelson Rolihlahla Mandela ishte lideri i famshëm i Afrikës Jugore, luftëtar për të drejtat civile dhe President i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike në Afrikën Jugore. Ai sot njihet si një simbol i luftës kundër apartheidit, një regjim i padrejtë dhe diskriminues që i privonte njerëzit me ngjyrë nga të drejtat e tyre themelore.
Prandaj, për të nderuar veprat e tij, data e sotme 18 korrik, është zgjedhur për të nderuar lindjen e Nelson Mandelës, i cili u lind më 18 korrik, të vitit 1918 dhe ndërroi jetë më 5 dhjetor, të vitit 2013. ‘Dita e Nelson Mandelës’, shërben për të festuar trashëgiminë dhe kontributin e tij në luftën për liri, drejtësi dhe barazi në Afrikën e Jugut dhe në botë.
Kjo ditë synon gjithashtu të frymëzojë individët, organizatat dhe komunitetet për të vazhduar luftën e tij për drejtësi sociale, barazi dhe paqe.







