Me lajmërimin e fituesve për pjesëmarrje në garën e skijimit dhe tërheqjen e numrave fituës, ka nisur sot (14.02.20) gara e skijimit në Brezovicë, e cila ka bërë bashkë të rinjtë e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Kjo garë e skijimit do të zgjasë deri më 16 shkurt 2020 në Brezovicë dhe është organizuar nga pija më e re energjike “GO +”. Brend menaxheri i pijes “GO +”, Ermal Berisha, për Radio KFOR-in ka treguar ditë më parë se ideja e kësaj gare është që të përkrahen sportistët e rinj në Kosovë nga të gjtha komunitetet. Tutje, Z. Berisha ka ftuar të gjithë të apasionuarit e këtij sporti në borë, që të bëhen pjesë e kësaj gare sportive, mirëpo ka ftuar edhe ata që nuk marrin pjesë në gara të skijimit, por që duan të argëtohen.
Aktivitetet e nisura sot, do të vazhdojnë nesër, më 15 shkurt nga ora 09:00 deri në orën 11:00, ku do të bëhet stërvitja dhe kualifikimet, ndërsa në orën 22:00, në kuadër të kësaj gare do të organizohet edhe një ndejë për pjesëmarrësit. Finalja e kësaj gare do të fillojë të dielën, më 16 shkurt, nga ora 10:00, derisa, në të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 15:00 do të mbahet një ndejë përshëndetëse. Fituesit e kësaj gare do të shpërblehen me vlera të ndryshme monetare. Për vendin e tretë do të ndahen 500 euro, për vendin e dytë 700 euro, ndërsa fituesi i vendit të parë do t’i fitojë 1.000 euro. Të gjitha garat do të monitorohen nga Federata Skitare e Kosovës.