Sot (20.03.24), në orën 04:06 të mëngjesit, në shumicën e vendeve të botës (në gjysmërruzullin verior), shënohet edhe zyrtarisht fillimi i stinës së pranverës.
Pranvera është stina e parë nga 4 stinët e vitit, e cila do të zgjasë deri më 21 qershor, kur me kalendar fillon stina e verës. Nga sot, Toka gjatë rrotullimit rreth Diellit shënon pozitën kur rrezet e Diellit bien pingul në ekuator, andaj, dita fillon të zgjatet sa edhe nata. Ky barazim i ditës dhe i natës, quhet ‘Ekuinoks pranveror’.
Në këtë stinë, bimët fillojnë të lulëzojnë, drita e Diellit shtrihet gjatë ditës dhe netët bëhen më të shkurtra. Në këtë periudhë pranvere që po ka nisur sot, është një kohë për të freskuar mendimet tona, për të filluar projekte të reja dhe për të shijuar bukurinë e natyrës së rilindur. Edhe pse sfidat e kohës mund të vazhdojnë, pranvera na jep një mundësi për të filluar sërish nga e para dhe për të shpresuar për një të ardhme më të ndritur.