Festivali Ndërkombëtar i Filmit ‘PriFest Online’, do të hapet sot (19.10.20), në orën 15.30, me një paraqitje të drejtpërdrejtë “livestream”, ku drejtuesit e festivalit dhe të ftuarit specialë, partnerë dhe sponsorë të festivalit do të kenë një fjalim përshëndetës, që do t’i paraprijë hapjes së platformës së filmit, për të shënuar kështu edicionin e 12-të me radhë.
Radio KFOR-i ditë më parë ka kontaktuar drejtoreshën e këtij Festivali, Vjosa Berisha, e cila tha se këtë vit, ‘PriFEST’ do të jetë më ndryshe: “Ne kemi marrë vendim që të organizohemi, të mbajmë Festivalin, sepse mendojmë që është i rëndësishëm për publikun dhe është e rëndësishme që të vazhdojnë aktivitetet kulturore, por me një kujdes shumë më të madh. Filmat do t’i shfaqim pa pagesë, si dhuratë për tejkalimin e kësaj pandemie. Do të marrim masat e duhura rekomanduese, që të respektohet distanca mes pjesëmarrësve.”
Tutje, Znj. Berisha, përmes Radio KFOR-it u bëri thirrje qytetarëve nga të gjitha etnitë në Kosovë, që të marrin pjesë në këtë Festival: “I ftojmë të gjithë të interesuarit që të vijnë të shohin këta filma dhe të shijojnë Festivalin, sepse filmat janë atraktivë, nuk gjinden zakonisht në kinema, por janë filma që udhëtojnë nëpër festivale. Po ashtu ‘PriFEST’, programin kryesor e ka me filma të Ballkanit, ku sjellim filma nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Shqipëria, Bosnja dhe Mali i Zi.
“PriFest Online” është i hapur për të gjithë, ndërsa për të ndjekur javën e filmit përmes internetit dhe shfaqjen e filmave e cila është falas, mund ta bëni përmes vegzës: https://mailchi.mp/5584…/prifest-online-linku-per-registration apo vizitoni faqen e internetit të PriFest www.prifest.org