Mënyra se si mendojmë dhe vlerësojmë veten, përcakton shumicën e gjërave në jetën tonë. Suksesi në punë, shkollë dhe fusha të tjera bazohet në përkushtim, besim dhe punë. Lira Blakaj nga Prishtina pa dyshim që është sinonim i punës dhe përkushtimit drejt suksesit. Ajo ka arritur të përfundoj studimet në nivelin Master, në universitetin prestigjioz ‘Oxford’, në Angli dhe për Radio KFOR-in Lira ka shpjeguar rrugëtimin e saj drejt këtij udhëtimi sfidues por të suksesshëm: “Pas përfundimit të studimeve në drejtimet Shkenca Politike dhe Etnologji dhe Antropologji Kulturore në Universitetin e Prishtinës, hapi im i radhës ishte një vendim ambicioz për aplikime në disa prej universiteteve me renome botërore për vazhdimin e studimeve në nivelin Master. Rezultati i njërit prej këtyre aplikimeve ishte pranimi në shkollën e Antropologjisë në Universitetin e Oxford-it, në mesin e gjashtë aplikantëve të tjerë të pranuar në këtë shkollë. Koha e studimeve në Oxford, përfaqëson një prej periudhave më të bukura të jetës time deri tani. Për mua qyteti dhe universiteti ishin një përjetim i ri, por shpejtë kuptova që edhe prezenca e një studenteje nga Kosova ishte risi në departamentin e Antropologjisë. Porosia ime për të gjithë të rinjtë është që të ndjekin ëndrrat e tyre, të punojnë me përkushtim dhe dashuri dhe të arrijnë qëllimet e tyre.”
Një i ri i suksesshëm është edhe Miloš Savić, i cili numëron suksese të shumta në sport, por edhe në studimet e tij. Për Radio KFOR-in ai tregoi për punën dhe përkushtimin e tij në jetë: “Si nxënës i shkollës së mesme fillova të punoj si vullnetar në organizatën ‘Young Active Gračanica’, sepse më pëlqente të mësoja gjëra të reja por edhe të vazhdoja të merresha me kickbox. Kur fillova studimet dhe arrita suksese në kickbox dhe sektorin privat i vura vetes një mision: të bëj prioritet përfundimin e studimeve. Është shumë e rëndësishme që gjithmonë të përmirësojmë veten dhe të mësojmë gjëra të reja. Edhe pse synimet që i vëmë vetes nuk janë gjithmonë të lehta por nuk duhet të dorëzohemi dhe të synojmë për më të mirën”.
Lira dhe Miloši, përbëjnë storie të suksesit që janë inspiruese për të gjithë të rinjtë në Kosovë, të cilët më përkushtim të madh dhe punë të vazhdueshme arritën të përmbushin ëndrrat e tyre.