Tenori i talentuar shqiptar, emrin e të cilit tashmë e njeh bota mbarë, Ramë Lahaj, sjellë edicionin e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës Ramë Lahaj, nga sot (21 korrik) deri më 31 korrik, në Sheshin e Prishtinës.
Artisti Lahaj, famën që sot e gëzon në botë, e shfrytëzon në mënyrën më produktive, duke vënë në theks njerëzoren, të qenurit human, përmes ndihmës së vazhdueshme që ai ua ofron të rinjve dhe komunitetit artistik në përgjithësi. Rast konkret është edhe akti që ai bënë edhe këtë herë, ku të gjitha parat e mbledhura nga Festivali, do të dhurohen për studentët ,që kanë nevojë për ndihmë financiare. Në një prononcim dhënë Radio KFOR-it, tenori Ramë Lahaj, tha: ‘Nuk kam dashtë kurrë që ju të paguani për koncertet e mia, andaj edhe festivali është i hapur dhe pa pagesë. Mirëpo, në mbrëmjen gala kemi vendosur të mbledhim fonde përmes shitjes së biletave, për ata student, të cilët nuk mund t’ia dalin vetë. Me biletën që do ta blini, jo vetëm do ta përjetoni një koncert krejt unik në sheshin e qytetit, shoqëruar me artistë e yje nga e mbarë bota, si kurrë më parë, por edhe do të mbështesni talentët e Kosovës. Festivali në mbrëmjet e tij do ketë artistët më të dalluar shqiptar, të cilët do të shoqërohen nga yjet më të mirë të skenës ndërkombëtare. Qëllimisht është zgjedhur periudha 21-31 Korrik 2022, atëherë kur e gjithë mërgata është në mesin tonë, sepse ne pa ata jemi gjysmak’, nënvizoi tenori Lahaj.
Festivali “Rame Lahaj International Opera Festival”, lindi si nevojë për të krijuar një urë lidhëse midis skenës Kosovare dhe asaj ndërkombëtare. Me mbështetjen e Komunës së Prishtinës, Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ambasadës Zvicerane dhe Filarmonisë së Kosovës, në vitin 2019, u realizua koncerti “Rame Lahaj & Friends“ i cili do të sillte më pas themelimin e Festivalit të parë Operistik në vend “Rame Lahaj International Opera Festival” në vitin 2021. Në mbështetje të të rinjve, të artit dhe kulturës operistike në vend Fondacioni Ramë Lahaj mbështet dhe synon të promovojë Kosovën dhe artistët e saj në mbarë botën.