Pas një pune të gjatë, me angazhim dhe përkushtim të madh, kryetarja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini realizoi ëndrrën e sportistëve Paralimpik, duke e bërë Komitetin Paralimpik të Kosovës të pranohet në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar. Në një intervistë për Radio KFOR-in, znj.Emini ka thënë se puna e bërë me dashuri dhe përkushtim, gjithmonë, shpaguhet, dhe tregoi se për 6 muajt e parë të vitit 2022, kanë arritur të funksionalizojnë mbi 50 klube dhe 10 Federata.
Znj Emini tha se sporti kosovar ka shënuar një arritje të madhe, përfshirë këtu edhe mundësinë që i ipet Ksovës për pjesëmarrjen në gara ndërkombëtare, duke nisur nga viti 2024, në Paris: “Anëtarësimi i Komitetit Paralimpik të Kosovës në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar mundëson pjesëmarrjen e parasportisteve në Lojërat Paralimpike, Parisi 2024. Andaj, Komiteti Paralimpik i Kosovës së bashku me Federatat Paralimpike, janë mobilizuar për përgatitje sa më të mirë të parasportistëve që të kualifikohen dhe të marrim pjesë në Lojërat Paralimpike Parisi 2024. Parasportistët elitarë kërkojnë trajnerë elitarë, prandaj Komiteti Paralimpik i Kosovës do të investojë në ngritjen e kapaciteteve të trajnerëve por edhe të personelit, si: referë, delegatë, administratorë të sportit etj.”
Znj.Emini tha se Komiteti Paralimpik i Kosovës pret mbështetje nga qeverisja lokale dhe qendrore dhe këtë kërkesë e bënë në emër të rreth 12% të popullatës që konsiderohet se janë me aftësi të kufizuara, por të gatshëm për të kontribuar në shoqëri. Po ashtu, Znj. Emini tha se bashkëpunimi i Komitetit Paralimpik të Kosovës , do të vazhdojë edhe më tutje, jo vetëm me Federata Paralimpike dhe Olimpike, por edhe me Komitetet Paralimpike të vendeve të rajonit, ku falë këtij bashkëpunimi do të ketë gara të përbashkëta, të cilat do të mbahen përgjatë muajve shtator dhe tetor, të këtij viti.