Radio filloi transmetimin si një shpikje teknologjike, që ndryshoi rrënjësisht mënyrën se si njerëzit komunikojnë dhe ndajnë informacione. Në vitin 1895, Guglielmo Marconi realizoi eksperimentin e tij të parë për transmetimin e sinjaleve të radios, duke hedhur bazat për zhvillimin e teknologjisë së radios. Që nga ajo kohë, radio mbetet një nga mjetet më të rëndësishme të komunikimit masiv. ‘Dita Botërore e Radios’, shënohet sot me 13 shkurt, e shpallur nga UNESCO në vitin 2011, për të theksuar rëndësinë e këtij mediumi dhe për të promovuar përdorimin e tij në mënyrë që të mbështesë lirinë e fjalës, diversitetin kulturor dhe mundësitë e barabarta për të gjithë individët.
Radio është një nga mjetet më të qasshme dhe më të fuqishme për informim dhe argëtim. Ajo mund të arrijë të lidhë njerëzit në zona të largëta, përmes transmetimit të lajmeve, edukimit dhe programeve të ndryshme, që prekin çështje të ndryshme sociale, politike e kulturore. Në vitet e fundit, derisa teknologjia ka avancuar dhe media digjitale ka marrë shtrirje, radio ka arritur të mbijetojë dhe të përshtatet me formatet e reja. Shumë radiostacione kanë zhvilluar aplikacione dhe mundësi online, duke u mundësuar njerëzve të dëgjojnë programe të radios nga çdo vend i botës, përmes internetit dhe platformave të ndryshme digjitale.
Në këto trende edhe Radio KFOR-i, është bërë pjesë e platformave online dhe tashmë në çdo cep të botës mund të na dëgjoni përmes aplikacionit tonë online, RADIOK4.
Radio KFOR-i vazhdon që përmes programit tërë-ditor, të jetë pranë dëgjuesve në informim, edukim dhe argëtim duke bartur edhe misionin paqeruajtës të KFOR-it, në shërbim të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.