Në shumë vende të botës, muaji shkurt shënon ‘Muajin e Barazisë Etnike’, një muaj ndërgjegjësimi për të nderuar dallimet dhe ngjashmëritë që secili prej nesh sjell në shoqëri.
Ky muaj, mëton të sjellë barazi në botën tonë të larmishme, duke theksuar bukurinë e kulturave dhe prejardhjeve të ndryshme si dhe na inkurajon të njohim ngjashmëritë tona, ndërkohë që vlerësojmë cilësitë unike që përcaktojnë çdo kulturë.
‘Muaji i Barazisë Etnike’ është një mundësi e mirë për të reflektuar dhe për të sfiduar veten, si në nivel individual ashtu edhe si shoqëri. Muaji shkurt, nxjerr në pah paragjykimet e padrejta që ende ekzistojnë në shoqëri, progresin që kemi bërë drejt barazisë dhe çfarë mund të bëjë secili prej nesh për të kontribuar në një qëllim që bota duhet të synojë: barazinë dhe drejtësinë shoqërore për të gjithë, pa asnjë dallim.