Pikërisht sot (21 maj), shënohet ‘Dita Ndërkombëtare e Çajit’, duke theksuar nevojën thelbësore për të siguruar qëndrueshmërinë e prodhimit të çajit, si një bazë për jetesën e miliona fermerëve, veçanërisht në një kohë kur ekonomia botërore dhe të ardhurat vazhdojnë të bien si rezultat i pandemisë COVID-19.
Pas angazhimeve të ditës dhe përfundimit të punëve të pas drekës, mbrëmjet kryesisht i kalojmë në shoqërimin e çajit. Me këtë ritual shoqërohet edhe znj. Arlinda Pllana, e cila në një prononcim për Radio KFOR-in, në lidhje me këtë ditë, tha: “Meqenëse gjatë gjithë ditës të gjithë jemi të angazhuar rreth punëve të ndryshme jashtë shtëpisë, mbrëmjet zakonisht na bëjnë bashkë, ku mblidhemi e gjithë familja dhe diskutojmë për sfidat e sukseset e ditës, qeshim, qajmë halle dhe pa diskutim që çajin e kemi shoqërues gjatë gjithë kohës.”
Në dhjetor të vitit 2019, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, mbështeti thirrjen nga Grupi Ndërqeveritar mbi çajin dhe shpalli 21 majin, ‘Ditë Ndërkombëtare të Çajit’, me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimin për rëndësinë socio-ekonomike të sektorit të çajit.