Humbja e babait në vitin 2003, e ka shtyrë, qytetarin nga fshati Greme i Ferizajt, z. Milazimi Ibishi, që të jetë dhurues vullnetar i gjakut çdo vit, që nga ajo kohë. Pasi data 14 qershor, i është ndarë shënimit të “Ditës Botërore të Dhuruesve të Gjakut”, Radio KFOR-i ka intervistuar z. Ibishi, i cili ka treguar motivin që e ka shtyrë të jetë dhurues i vazhdueshëm i gjakut: “Kam filluar të dhuroj gjak në dhjetorin e vitit 2003, babai i ndjerë ka qenë i shtrirë në spital, i janë dashur tre doza gjaku pas operimit, por për fat të keq, nuk ka pasur doza të mjaftueshme, për këtë arsye është dashtë që unë të jem dhurues gjaku me dy dhurues të tjerë, të cilët është dashtë me i gjete, meqë ka pas mungesë të dozave të gjakut. Prandaj nga ai vit, kam vendosë që të jem dhurues i vazhdueshëm i gjakut, pasi kjo shpëton jetë. ‘Dhuro gjak, shpëto jetë’, ky është slogani i kësaj ditë, andaj i ftoj të gjithë qytetarët që të jenë dhurues gjaku, pasi klinikat vazhdimisht kanë nevojë për gjak.”
Këtë vit “Dita Botërore e Dhuruesve të Gjakut”, po shënohet për të 17 -in vit me radhë dhe është një ditë që shërben si falënderim ndaj të gjithë dhuruesve vullnetarë të gjakut dhe që ka për qëllim ndërgjegjësimin e të gjithë qytetarëve që të shpëtojnë jetë, duke dhuruar gjak.