Me moton “Ndalo humbjen dhe hedhjen e ushqimit. Për njerëzit, për planetin”, sot (29.09.20) gjithë bota shënon ‘Ditën Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit për Humbjen e mbetjeve ushqimore ’, e cila në vitin 2019, nga Asambleja e Përgjithshme e 74-të e Kombeve të Bashkuara u caktua datë për të njohur rolin themelor që luan prodhimi i qëndrueshëm i ushqimit në promovimin e sigurisë ushqimore dhe të ushqyerit.
Nga prizmi i një profesionisteje të ushqimit, për këtë ditë na foli, nutricionistja e njohur, Diola Dosti, e cila mes tjerash nënvizoi: “Ne mendojmë se hedhim vetëm ushqimin, por në fakt, kur hedhim një ushqim, nuk llogarisim humbjen e energjisë, ujit, tokës dhe oksigjenit, apo komplet materieve që i duhet ushqimit për tu bërë. Për të mirën e planetit, duhet të bëhemi konsumatorë të zgjuar. Çdo gjë e tepruar, na bën dëm edhe nëse vendosim ta hedhim atë. Imagjinoj se sa jetë mund të shpëtonin nga grumbullimi i këtij ushqimi të hedhur. Herë tjetër, para se të hedhim ushqimin, vetëm le të mendojmë se sa njerëz flenë me barkun bosh. Uroj shumë që të ndërtohet një sistem në të cilin ushqimi i mbetur, të shkojë në shtëpinë ku nuk ndihet aroma e tij’’, tha për Radio KFOR-in, znj. Dosti.
Shkaqet e humbjes ose hedhjes së ushqimit janë të shumta dhe ndodhin në të gjithë sistemin ushqimor, gjatë prodhimit, përpunimit, shitjes me pakicë dhe konsumit.