Organizata Botërore e Shëndetësisë, tregon se sëmundjet kardiovaskulare marrin jetën e 17.9 milion njerëzve çdo vit, që përbën 31% e të gjitha vdekjeve globale. Për të përmirësuar shëndetin global dhe për të inkurajuar njerëzit të bëjnë ndryshime në stilin e tyre të jetës dhe duke promovuar edukimin ndërkombëtar për rëndësinë dhe ruajtjen e zemrës ‘Fondacioni Botëror i Zemrës’, vendosi që dita botërore e zemrës, të shënohet në gjithë botën me 29 shtator.
Dita Botërore e Zemrës është një fushatë globale gjatë së cilës individë, familje, komunitete dhe qeveri në të gjithë botën marrin pjesë në aktivitete për të vetëdijesuar rreth shëndetit të zemrës. Për nder të kësaj dite Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me kardiologun Masar Gashi, i cili foli për rëndësinë e shëndetit të zemrës dhe kujdesin e vazhdueshëm që duhet të kemi në mbrojtjen e saj: “Sëmundjet kardiovaskulare në botë janë në vendin e parë si shkaktarë të vdekjeve dhe si sëmundje shkakton invaliditet edhe pas sëmundjes. Për këtë arsye dita botërore e zemrës shënohet me qëllim që të tërhiqet vëmendja për sëmundjet kardiovaskulare dhe të punohet në drejtim të prevenimit të sëmundjes më qëllim që të largohen faktorë të riskut që shkaktojnë sëmundje kardiovaskulare siç janë: diabeti, duhani, stresi psikik, obeziteti dhe mungesa e aktivitetit fizik. Ne vende të zhvilluara prezenca e sëmundjeve kardiovaskulare zvogëlohet ndërsa në vendet siç është Kosova numri i sëmundjeve kardiovaskulare është në rritje”.
Z. Gashi këshilloi të gjithë qytetarët që në vazhdimësi të jenë aktiv fizikisht, të ushqehen shëndetshëm dhe të evitojnë pirjen e duhanit për një zemër të fortë dhe shëndet të mirë.