Në ditëlindjen e shpikësit francez të alfabetit brajl, Louis Braille, në gjithë botën, data e sotme 4 janari, shënon ‘Ditën e Alfabetit Brajl’. Kjo ditë ka rëndësi të madhe dhe nderon kontributin e Louise Braille, për të ndihmuar njerëzit e verbër dhe me shikim të dëmtuar, të lexojnë dhe të shkruajnë si dhe për t’ju ofruar atyre mundësi të barabarta në komunikim dhe qasje në informata. Zbulimi i këtij alfabeti ishte një shpikje e madhe historike, që ndryshoi përgjithmonë mënyrën e komunikimit për të verbrit dhe për personat me shikim të dëmtuar, meqë ju mundësoi miliona personave të drejtën themelore për arsimim dhe komunikim më të lehtë.
Shkrimi brajl, u pranua në të gjithë botën si forma kryesore e informacionit të shkruar për njerëzit e verbër, duke ndryshuar jetën e tyre rrënjësisht. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, globalisht numri i njerëzve me shikim të dëmtuar vlerësohet të jetë rreth 2.2 miliardë njerëz.