Mirënjohja na bën të vetëdijshëm që jeta është një dhuratë, dhe se thesari dhe mbrojtja e kësaj dhurate është thelbësore.
Festimi i Ditës së Mirënjohjes filloi në vitin 1965, në Hawaii, kur në një mbledhje ndërkombëtare u vendos zyrtarisht që brenda një dite në vit të ketë mirënjohje dhe vlerësime për shumë gjëra të mrekullueshme që kemi në botë. Që nga ajo kohë, numri i njerëzve që festojnë Ditën e Mirënjohjes është në rritje e sipër.
Studiuesi më i shquar në botë për mirënjohje, Robert Emmons thotë se të shprehurit për atë që jemi mirënjohës ka shumë përfitime, duke përfshirë se do të ndihemi më pak të stresuar, do të bëjmë gjumë të mirë, do të kemi më pak probleme fizike, si dhe jetë më të gjatë.
Se të mirat që i kemi në jetë i marrim si të mirëqena dhe nuk ua dimë vlerën, e pohon edhe Aida Berisha, një dëgjuese e Radio KFOR:
“Zakonisht gjërat i vlerësojmë atëherë kur nuk i kemi më dhe kur i humbasim ato. Ato që nuk i kemi, do të bënim çmos që t’i kthenim prapë. Kështu që, është mirë të jemi mirënjohës për çdo bekim që e kemi në jetë “.
Andaj, duajeni jetën dhe vlerësoni çdo moment të saj, kaloni sa më shumë kohë me familjet tuaja dhe mos hezitoni t’ua shprehni mirënjohjen tuaj për rëndësinë që kanë ata në jetët tuaja.