E shtuna e tretë e muajit shtator i është ndarë shënimit të “Ditës Ndërkombëtare të Ngrënies së një Molle në Ditë” e cila sivjet po festohet më 21 shtator.
Shënimi i një dite të tillë gërsheton disa arsye, sa shëndetësore aq edhe kulturore. Mollët kanë histori të gjatë në shumë vende të botës të cilat e nderojnë këtë frutë, absolutisht të shijshëm dhe që ka shumë përfitime shëndetësore për njeriun.
Se sa e rëndësishme është ngrënia e një molle në ditë, na tregon edhe doktoresha, Dhurata Halabaku e cila është mjeke nutricioniste në “Shëndeti Club”.
“Shpesh ndodhë që ne harrojmë rëndësinë e pemëve. Molla bën pjesë në ushqimet më të shëndetshme të organizmit, sepse është e pasur me vitamina: C, A, E, B1, B2, B6, është e pasur gjithashtu me fibra, kalium, kalcium, hekur, fosfor, magnez si dhe karbohidrate. Molla përmban 85-90% ujë, kështu që ajo e freskon dhe e largon ndjenjën e urisë nga organizmi. Në kombinim me minerale dhe përbërës të tjerë, molla forcon imunitetin e organizmit. Gjithashtu, molla ka rol të rëndësishëm në luftën ndaj viruseve, mirëpo një gjë shumë e rëndësishme është se konsumimi i mollës në sasi të konsiderueshme, parandalon lajmërimin të karcinomës së zorrës së trashë”.
Ngrënia e një mollë në ditë, do të thotë t’i falni organizmit tuaj vlera ushqyese, ta mbroni zemrën dhe të luftoni mbipeshën.
Po ju miq, a e dini cila është mënyra më e mirë ta festoni “Ditën Ndërkombëtare të Ngrënies së një Molle”? – Hani nga një mollë çdo ditë!