‘Farmacia e bashkuar në veprim, për një botë më të shëndetshme’, ky është slogani me të cilin shënohet këtë vit ‘Dita Botërore e Farmacistëve’, e caktuar me 25 shtator, nga Federata Ndërkombëtare e Farmacisë.
78% e farmacistëve në botë janë femra dhe ka më shumë se 4 milionë farmacistë në mbarë botën.
Për të shënuar këtë ditë, Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me kryetarin e ‘Odës së Farmacistëve të Kosovës’, z. Arianit Jakupi, i cili tregoi për komunitetin farmaceutik në Kosovë dhe sfidat e farmacistëve në vend: “Në Kosovë janë të licencuar rreth 1.400 farmacistë dhe sfidat me të cilat përballen, janë të ndryshme varësisht nga segmenti në të cilin ofrojnë shërbimin shëndetësor. Për shembull në barnatore sfidat janë në mos rregullimin e çmimit të barnave, në barnatoret spitalore mos definimi i qartë i rolit të farmacistëve specialistë dhe dhënia e mundësisë që këta të mund të ofrojnë shërbimet profesionale për të cilat janë specializuar. Mesazhi ynë si Odë e Farmacistëve, është që të shpresojmë dhe punojmë që me legjislacionin të cilin ‘Ministria e Shëndetësisë’, është duke e plotësuar dhe ndryshuar, të arrijmë që sa më parë t’i adresojmë këto probleme.”
Nga Z. Arianit po ashtu mësuan që nga ‘Oda e Farmacistëve të Kosovë’, do të zhvillohen aktivitete të ndryshme, për nder të kësaj dite.