Me datën 20 korrik 1969, njerëzit e parë në botë krijuan histori duke arritur në Hënë me fluturaken Apollo 11.
Astronautët amerikan Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin, arritën të përfundojnë një nga arritjet më të mëdha të njerëzimit. Edhe në Kosovë adhuruesit e astronomisë kanë filluar që të eksplorojnë hapsirën dhe gjithësinë.
Themeluesja e organizatës ‘Astronomy of Outreach of Kosovo’ Pranvera Hyseni, në një prononcim për Radio KFOR-in shfaqi entuziazmin e saj për të na mësuar më shumë rreth kësaj date të rëndësishme dhe rreth astronautëve të parë që udhëtuan në Hënë, pa e kursyer as jetën e tyre:
“Neil Armstrong, Mike Collins dhe Buzz Aldrin u zgjodhën për udhëtimin e rrezikshëm, që mund t’i kushtonte me jetë. Astronautët u nisën drejt hapësirës me raketën “Saturn Five”, anija më e fuqishme e ndërtuar ndonjëherë,. Pas katër ditësh udhëtimi dhe disa miliona kilometrash, Aldrin dhe Armstrong zbritën në sipërfaqen e hënës me një sondë të quajtur “Eagle – Shqiponja”, teksa Collins ju soll hënës përqark. Sapo mbërritën në hënë, astronautët shijuan gravitetin e planetit duke ecur në sipërfaqe”, tregoi Pranvera.
Edhe sot e kësaj dite, njëra ndër thëniet më popullore që përdoret për arritje të ndryshme të njerëzimit, është thënia që përdori astronauti Neil Armstrong kur zbriti në Hënë: ‘Një hap i vogël për njeriun, por një hap i madh për njerëzimin”.