Tashmë edhe bota është dëshmitare se Kosova ka film bërës e aktorë të denjë për tu përfaqësuar dhe shpërblyer edhe në Festivalet më prestigjioze të filmit në botë.
Mirëpo, krahas rrugës së mbarë që po tregon viteve të fundit kinematografia kosovare në botë, tashmë është shtuar ambicia për të shkuar edhe një hap më tutje.
Komisioni i Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK), kryesuar këtë vit nga regjisori i shquar Isa Qosja me anëtarët e tjerë, aktorin dhe producentin Fatmir Spahiu, skenaristen Visare Aliu, aktorin e regjisorin Edon Rizvanolli, producentin Valon Jakupaj, regjisorin Faton Bajraktari dhe aktorin e producentin Shkumbin Istrefi, u bëjnë thirrje të gjithë filmbërësve nga Kosova që të aplikojnë me filmat të metrazhit të gjatë.
QKK fton të gjithë të interesuarit që të dërgojnë propozime për konsiderim për çmimin OSCAR për kategorinë për film në gjuhë të huaj, i cili mund ta përfaqësoj Kosovën këtë vit.
Të drejtën e konkurimit e kanë të gjithë filmat e metrazhit të gjatë nga Kosova që janë shfaqur apo do të shfaqen për shtatë ditë rresht në kinematë e Kosovës dhe të cilët i plotësojnë kushtet tjera të vëna nga “Academy of Motion Picture Arts and Sciences”.
Propozimet mund të dërgohen përmes postës elektronike: info@qkk-rks.com.
Afati i fundit për dërgimin e propozimeve për filma është data 15 gusht 2018.