Qendra ‘Social Space for Deconstruction’, tash e disa vite ka hapur dyert për të gjithë të rinjtë që jetojnë në Mitrovicën e Jugut dhe Veriut, duke ofruar aktivitete të ndryshme, punëtori, e ngjarje kulturo-artistike dhe duke krijuar një hapësirë që të rinjtë të kenë mundësi të diskutojnë për tema të ndryshme në një ambienti shumetnik. Radio KFOR-i bisedoi me koordinatorin e programeve të kësaj qendre, z. Gentrit Behramaj, nga i cili mësuam për aktivitetet që organizohen aty si dhe për përfshirjen e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, në këto aktivitete: “Vitin e kaluar kemi hapur ‘Hapësirën Shoqërore për Dekonstruksion’, ku kemi mbajtur aktivitete të shumta siç janë diskutimet, pastaj festivalin ‘Art Fest’, ekspozita dhe aktivitete tjera kulturore. Kemi bashkëpunim edhe me organizatat në veri të Mitrovicës, ku me Galerinë ‘Aquarius’ atje, kemi organizuar ngjarje të ndryshme. Pastaj, për dy vite, bashkë me anëtar të komunitetit serb, ne kemi organizuar një aktivitet ku kemi ndërtuar shtretër për qentë dhe ato i kemi punuar nga materiale të reciklueshme. Po ashtu, kemi aktivitete edhe me pjesëtar të komuniteteve boshnjak, rom, ashkali dhe egjiptian.”
Z. Behramaj, tregoi gjithashtu se qendra e tyre është e hapur për të gjithë të rinjtë e komuniteteve dhe kjo qendër është mundësi për shkëmbime kulturore dhe mundësi për të njohur njëri-tjetrin më mirë.