Kosova është një vend i pasur me kultura dhe kombësi të ndryshme dhe si e tillë, është dëshmitare e shumë historive shumetnike. Disa nga këto kultura, gërshetohet në fabrikën Vali Impex, e cila ka filluar punën në vitin 1994, ku të punësuar aty janë shqiptarë dhe serbë. Fabrika në fjalë ka rreth 30 punëtorë, ku pesë prej tyre në sektorin e prodhimtarisë, janë serbë nga komuna e Graçanicës dhe njëri nga ta është 24 vjeçari, z. Nemanja Gjorgjeviq (Đorđević).
“Nga kolegu im Driloni, kam mësuar gjithçka lidhur me punën që bëj, veçanërisht punën me makineri për prodhim, por nuk është e gjitha, kolegu po mundohet të më mësojë edhe gjuhën shqipe dhe deri më tani po ecim mirë në këtë drejtim. Ne mund të kemi dallime në fe dhe në gjuhën që flasim, por ne kemi një synim dhe ai është, që e nesërmja jonë, të jetë edhe më e mirë. Për këtë arsye bashkëpunojmë dhe e japim kontributin tonë, për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë”, tha kështu për Radio KFOR-in, z. Gjorgjeviq, i cili për pesë vite është punëtor i kësaj fabrike.
Shefi i prodhimit në fabrikën Vali Impex në Çagllavicë, z. Drilon Maliqi, i cili mban këtë post, që nga viti 2011, gjithashtu ndau me Radio KFOR-in, përvojën e tij të fituar, në mjedis shumetnik: “Kam pesë vite që punoj me kolegun tim Nemanja. Ai është zëvendësi im dhe i besoj shumë, sepse është një djalë jashtëza konisht i përgjegjshëm. Në fillim, për shkak të mosnjohjes së gjuhëve, komunikonim në anglisht dhe me shenja, mirëpo tani që e kemi mësuar, unë serbishten e ai shqipen, po komunikojmë më lehtë. Krahas qëndrimit në punë, ne dalim bashkë edhe në kohën e drekës gjatë pauzave dhe vizitojmë njëri-tjetrin për pushime. Prandaj, dua t’u them të gjithëve, që të punojnë së bashku për të mirën e përbashkët.”
Bashkëpunimi në çdo sferë të jetës është i domosdoshëm për të gjithë njerëzit, meqë historitë e suksesshme shumetnike krijohen më së miri, në ato vende ku jetojnë njerëz të nacionaliteteve të ndryshme, siç është rasti i lartpërmendur në Kosovë!