Me afrimin e Vitit të Ri, temperaturat vazhdojnë të bien dhe shpesh harrojmë se kafshët mund të kenë nevojë gjithashtu për kujdes.
Një përkujdesje të veçantë për qentë e ofron edhe organizata shumetnike “Prishtina Dog Shelter”, e cila ndodhet në Graqanicë, ku në baza vullnetare trajton qentë endacak, i shëron, madje edhe kur janë në gjendje të rëndë edhe i sterilizon, për t’i kthyer të shëndoshë më pas aty ku janë marr ose për t’i dhënë për adaptim. Meqë jemi në prag të stinës së dimrit, Radio KFOR-i kontaktoi themeluesin e kësaj strehimore kafshësh, z. Mentor Gashi, për të kuptuar se si ushqehen qentë aty: “Ushqimin e sigurojmë nëpërmjet donacioneve sporadike si dhe e marrim nga furra ‘Qerimi 1’, ushqime që iu mbesin. Këto dy mënyra të furnizimit janë të mjaftueshme për 45 qenë, që ne i mbajmë. Disa nga ta do të jepen për adoptim jashtë Kosovës dhe janë në pritje për të shkuar në shtëpitë e tyre, janë gjithsej 20 nga ta. Disa prej tyre lirohen, e disa që janë me aftësi të kufizuara mbesin përgjithmonë tek ne.”
Gjersa kujdesemi për qentë, nuk duhet ta harrojmë as thënien e shkrimtarit dhe komikut amerikan, Josh Billings, e cila thotë “Qeni është e vetmja qenie në tokë që të do më shumë se sa që ti e do veten!”.